Kompania amerikane Apple ka raportuar të ardhura më të larta se pritjet e analistëve për tremujorin që përfundoi më 26 shtator 2026, të nxitura kryesisht nga shitjet rekord të iPhone-ve.
Megjithatë, aksionet e kompanisë ranë me rreth 3 për qind gjatë tregtimit pas mbylljes së bursës, pasi investitorët vlerësuan rezultatet pozitive në raport me presionin mbi marzhet e fitimit.
Të ardhurat e Apple arritën në 114.5 miliardë dollarë, duke shënuar rritje prej 12 për qind krahasuar me 102.5 miliardë dollarët e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kompania me seli në Cupertino të Kalifornisë raportoi fitime prej 30.71 miliardë dollarësh, ose 2.10 dollarë për aksion. Një vit më parë, fitimi kishte qenë 27.47 miliardë dollarë, apo 1.85 dollarë për aksion, që përfaqëson një rritje prej 12 për qind.
Sipas të dhënave të FactSet, analistët kishin parashikuar fitime mesatare prej 1.99 dollarësh për aksion dhe të ardhura prej 113.4 miliardë dollarësh. Apple arriti t’i tejkalojë të dyja parashikimet.
Megjithatë, një pjesë e rritjes së fitimit erdhi nga rimbursimet e tarifave doganore, të cilat kontribuuan me 0.05 dollarë për aksion dhe rritën marzhin bruto të kompanisë me rreth një pikë përqindjeje, duke e çuar atë në 47.9 për qind.
Tremujori përfshiu vetëm ditët e para të shitjeve të modeleve premium iPhone 18 Pro. Ndërkaq, telefoni i palosshëm i kompanisë, iPhone Duo, nisi të shitej gjatë tremujorit aktual dhe, për rrjedhojë, shitjet e tij nuk janë përfshirë në rezultatet e fundit.
Të ardhurat nga shitjet e iPhone-ve u rritën me 17.5 për qind, duke arritur në 57.6 miliardë dollarë. Edhe shitjet e kompjuterëve Mac shënuan rritje prej gati 24 për qind.
Në anën tjetër, të ardhurat nga iPad-ët ranë me 10.4 për qind, ndërsa kategoria e pajisjeve të veshshme, pajisjeve për shtëpi dhe aksesorëve shënoi rënie prej 7.9 për qind.
Ky është raporti i parë financiar i Apple që nga marrja e drejtimit të kompanisë nga John Ternus, më 1 shtator, duke zëvendësuar Tim Cook-un.
Ternus veçoi rimëkëmbjen e shitjeve në rajonin e Kinës së Madhe, ku të ardhurat u rritën me 21 për qind gjatë tremujorit dhe me 28 për qind gjatë gjithë vitit fiskal. Sipas tij, rritja u nxit kryesisht nga shitjet e iPhone-ve dhe kompjuterëve Mac.
Megjithatë, analisti i lartë i Investing.com, Jesse Cohen, në një vlerësim të cituar nga MarketWatch, theksoi se të ardhurat nga Kina, si dhe ato nga pajisjet e veshshme dhe pajisjet për shtëpi, rezultuan më të ulëta se pritjet e analistëve.
/A.K/
