UBT News

Apple pritet të sjellë ndryshime të mëdha në dizajnin e iPhone, duke nisur me modelin 17 Air

Pas disa viteve me ndryshime të vogla në pamjen e jashtme, Apple pritet të nisë një cikël të ri ridizajnimi për linjën e saj iPhone. Sipas Mark Gurman nga Bloomberg, kompania ka planifikuar tre vite me ndryshime të rëndësishme në dizajnin e pajisjeve, duke filluar me modelin iPhone 17 Air, që mund të prezantohet muajin tjetër.

iPhone 17 Air thuhet se do të zëvendësojë modelin aktual iPhone 16 Plus. Ai pritet të ketë një trup më të hollë, një kamerë të vetme në pjesën e pasme dhe modemin e parë të prodhuar nga vetë Apple. Pajisja nuk do të ketë vend fizik për kartë SIM dhe do të përdorë një bateri më kompakte.

Ndërkohë, modelet iPhone 17 dhe 17 Pro Max do të ruajnë pamjen e ngjashme me iPhone 16, por do të sjellin një modul të ridizajnuar për kamerën e pasme.

Në vitin 2026, Apple thuhet se do të prezantojë modelin e saj të parë të palosshëm, i cili aktualisht është i njohur me emrin e brendshëm V68. Ky model pritet të përfshijë katër kamera: dy në pjesën e pasme, një në pjesën e jashtme dhe një brenda. Pajisja do të funksionojë me një modem të personalizuar të Apple dhe do të ketë ekran të brendshëm me panel të ri me prekje, që synon të përmirësojë ndjeshmërinë dhe të reduktojë efektin e palosjes.

Sipas të njëjtit raport, në vitin 2027 Apple planifikon të prezantojë iPhone 20, me një dizajn tërësisht të ri prej xhami të lakuar, për të shënuar 20-vjetorin e linjës iPhone. Ky model pritet të sjellë një qasje të re në dizajnin e telefonave, të ndryshëm nga çfarë është ofruar deri më tani.

Exit mobile version