Apple zyrtarisht ka lansuar iOS 15.1 dhe iPadOS 15.1 për publikun. Pas një muaj testimi beta, iOS 15.1 sjell më shumë funksionalitete përfshirë SharePlay, përmirësime në aplikacionin e kamerës për iPhone 13 e shumë të tjera. Më poshtë do të hyjmë në detajet e versionit të ri.
SharePlay
Funksionaliteti kyç i iOS 15 është padyshim SharePlay. Fillimisht duhej të kishte mbërritur me iOS 15, por Apple e shtyu në mënyrë që të rafinonte funksionimin e tij.
Apple e përshkruan SharePlay si një mënyrë për të ndarë eksperienca të sinkronizuar në FaceTime. Mbështetet nga aplikacionet si Apple TV, Apple Music dhe Fitness+. Zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta gjithashtu mund të përfitojnë nga ekosistemi duke bërë të mundur përdorimin e SharePlay në aplikacione të ndryshme, lojëra, shërbime streaming etj.
Përmirësime të aplikacionit të kamerës
Aplikacioni i kamerës do të marrë disa përditësime në iOS 15.1 për iPhone 13 Pro dhe 13 Pro Max. Është përfshirë mbështetja për formatin ProRes të videove dhe kalimin automatik të kamerës nga lentja kryesore në lenten super të gjerë kur afrohet drejt një objekti në distancë të vogël.
Të tjera
Përdoruesit e iOS 15.1 mund të ruajnë kartën e vaksinimit në aplikacionin Wallet. Gjithashtu janë rregulluar probleme në aplikacionet Photos, Weather dhe Wallet.
Algoritmet e baterisë që parashikojnë kapacitetin e saj janë përditësuar. /PCWorld Albanian