Apple, Google dhe Microsoft kanë njoftuar se duan të eliminojnë përgjithmonë nevojën për shërbimet dixhitale me fjalëkalime.
Për këtë ata do të zhvillojnë një infrastrukturë për të lejuar hyrjen pa një çelës alfanumerik në telefonat inteligjentë (Android dhe iOS), kompjuterë (Windows dhe macOS), shfletues (Chrome, Edge dhe Safari), që duhet të fillojë të funksionojë që në fillim të vitit të ardhshëm.
Tre gjigantët e teknologjisë u mblodhën nga Aleanca Fido, kompania e themeluar në vitin 2013, misioni i deklaruar i së cilës është “të promovojë standardet e vërtetimit që ndihmojnë në reduktimin e varësisë së tepërt të botës nga fjalëkalimet”. Lajmi vjen pak ditë nga Dita Botërore e Fjalëkalimit’ më 5 maj.
Sipas raportit vjetor të Verizon për shkeljet e të dhënave kibernetike, 80% e tyre shkaktohen ende nga fjalëkalime të pasigurta dhe kredenciale të dobëta. Siç shpjegohet në një shënim zyrtar të Apple, pasi sistemi të jetë aktiv, mund të përdorni telefonin inteligjent për të hyrë në një aplikacion ose shërbim në ueb, pavarësisht nga softueri operativ ose shfletuesi në përdorim. I njëjti operacion që kryejmë disa herë në ditë për të zhbllokuar telefonin, nga njohja e fytyrës dhe e gjurmëve të gishtave deri te kodet, do të mjaftojë për të hyrë në faqet dhe aplikacionet, si një mjet i shpejtë dhe i sigurt vërtetimi.
Përdoruesit do të jenë gjithashtu në gjendje të aksesojnë automatikisht kredencialet e tyre në pajisje të shumta, pa pasur nevojë të riregjistrojnë secilën llogari. Megjithëse Apple, Google dhe Microsoft kanë mbështetur prej kohësh standardin e hyrjes pa fjalëkalim të krijuar nga Fido Alliance, por ende nuk ka ndërveprim ndërmjet platformave, aplikacioneve dhe standardeve të sigurisë së këtyre kompanive. Sipas tre gjigantëve, risia do ta bëjë shumë më të vështirë për hakerët vjedhjen e informacionit të hyrjes, duke pasur parasysh mungesën e çelësave në numra dhe shkronja dhe praninë e thjeshtë të telefonit inteligjent si një mjet identifikimi. BalkanWeb