UBT News

Apple gati për betejë me Samsungun në fushën e telefonave të palosshëm

Kompania Apple po punon intensivisht për të hyrë në tregun e telefonave të palosshëm dhe planifikon që në vitin e parë të dërgojë deri në shtatë milionë njësi të iPhone të palosshëm, tregojnë raportet e reja nga industria.

Sipas informacioneve të disponueshme, Apple synon të nisë prodhimin provues në fund të vitit 2025, ndërsa prezantimi zyrtar parashikohet për gjysmën e dytë të vitit 2026. Me këtë, Apple hyn në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Samsungun, i cili aktualisht dominon tregun e telefonave të palosshëm.

Thashethemet sugjerojnë se telefoni i parë i palosshëm i Apple quhet iPhone Ultra, dhe do të ketë dizajn në formë libri, të ngjashëm me Samsung Galaxy Z Fold. Pritet që iPhone Ultra të ketë ekran të brendshëm me diagonale 7.8 inç, ekran të jashtëm prej 5.5 inç, kamerë të dyfishtë prej 48 MP, trup prej titani, si dhe një mekanizëm inovativ palosjeje nga aliazh qelqi dhe metali, që synon të eliminojë rrudhat e dukshme në ekran.

Apple thuhet se planifikon të shesë 7 milionë njësi në vitin e parë, gjë që do të përbënte më shumë se 30 për qind të tregut aktual të telefonave të palosshëm – treg në të cilin Samsung tashmë ka gjashtë gjenerata të pajisjeve Fold dhe Flip.

Çmimi i pajisjes së re nuk është konfirmuar, por spekulohet se do të jetë ndërmjet 2000 dhe 2500 dollarë, duke e pozicionuar si një produkt ultra-premium.

Samsung mban pozitën udhëheqëse në fushën e telefonave të palosshëm,  Apple, i njohur për qasjen e kujdesshme dhe standardet e larta të cilësisë, duket qartë se planifikon të shfaqet si një konkurrent serioz.

Përqendrimi i tyre te një dizajn pa rrudha, materiale premium dhe performancë e lartë mund të tërheqë ata përdorues që deri tani kanë hezituar të kalojnë te telefonat e palosshëm.

Exit mobile version