UBT News

​APK lanson aplikacionin për raportimin e korrupsionit

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mbështetje nga UNDP ne Kosovë, ka lansuar platformën online për raportimin e korrupsionit, e cila do të shfrytëzojë masat e teknologjisë për parandalim të korrupsionit.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj tha ky aplikacion tregon që teknologjia mund të vihet para sundimit të ligjit dhe parandalimit të korrupsionit.

“Ne si agjenci, tentojmë të jemi dëshmitarë dhe shembull i mirë i përdorimit të teknologjisë në mbizotërimin e drejtësisë. Ky aplikacion, i cili do të lansohet sot dhe shumë aplikacione tjera, të cilat janë lansuar në të kaluarën, tregojnë që teknologjia mund të vihet në shërbim të sundimit të ligjit dhe parandalimit të korrupsionit…Ne i kërkojmë secilit qytetar të Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë me ne, sepse pjesëmarrja qytetare është fuqia jonë”, tha Buleshkaj.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e APK, Adnan Rrustemi shtoi se kjo platformë ofron një mënyrë moderne, të sigurt dhe konfidenciale për qytetarët që të raportojnë rastet e korrupsionit.

“Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’, përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit. Kjo platformë është si rezultat i bashkëpunimit dhe përkrahjes së fuqishme e UNDP-së në Kosovë. Teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit, platforma ofron një mënyrë moderne, të sigurt dhe konfidenciale për qytetarët që të raportojnë raste të korrupsionin”, shtoi Rrustemi.

Gjithashtu, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Dudley Tarlton u shpreh se UNDP ka mbështetur APK-në në mënyrë qe të bëhet identifikimi i rreziqeve dhe digjitalizimi i platformës së raportimit.

“Kemi një partneritet shumë të gjatë në parandalimin e korrupsionit. Kemi mbështetur agjencinë në mënyrë që të bëhet identifikimi i rreziqeve dhe digjitalizimi i platformës së raportimit. Është bazuar në modelin e Republikës së Koresë”, u shpreh Tarlton.

Exit mobile version