UBT News

Apeli refuzon ankesat e mbrojtësve në rastin “Subvencionet”

Kolegji penal nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat e mbrojtësve të të pandehurve S.SH., S.S., L.S., H.M., B.N., D.A., A.B., SH.K., P.K., etj. të paraqitura ndaj aktvendimeve të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas një komunikate të Apelit, gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë me aktvendimet përkatëse ndaj të pandehurve të lartcekur kishte vazhduar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj katër të pandehurve tjerë kishte vazhduar masën e arrestit shtëpiak, për shkak të veprave penale marrja e ryshfetit, mashtrimi me subvencione; dhënia e ryshfetit; keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrimi në detyrë; Legalizimi i përmbajtjes së rreme, etj.

“Kolegji penal i Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake i gjykatës së shkallës së parë drejtë ka vepruar kur ndaj të pandehurve ka vazhduar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj katër të pandehurve ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë, duke e pasur parasysh natyrën e veprave penale dhe rrethanat tjera të rastit konkret, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version