Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, shefit të prokurorimit të kësaj ministrie, Fitim Mustafa, e tre ish-sekretarëve: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj.
Të pandehurit Dh.H., F.M., D.Sh., K.C. dhe N.O. secili veç e veç akuzohen për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Refuzohen si e pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve DH.H., avokati Florent Latifaj, F.M., avokat Mehdi Geci, D.Sh., avokat Tahir Recaj, L.C., avokate Albana Kelmendi dhe N.O., avokat Hajzer Salihu, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, i datës 12.10.2021, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më datë 07 korrik 2021 ka ngritur aktakuzën, kundër të akuzuarve: DH.H., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i pandehuri F.M., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i pandehuri D.SH., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i pandehuri K.C., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i pandehuri N.O., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.2 te KPRK-së.
Kujtojmë që më 1 shtator të 2021-tës në seancën e shqyrtimit fillestarë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.