UBT News

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Shaban Gogajt

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Lajmi e ka bërë të ditur Gjykata e Apelit përmes një komunikate për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit me aktvendimin PAKR.nr.103/2023, të datës 23.03.2023, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë është përfshirë në shkelje të cilat nuk kanë qenë pjesë përbërëse e çështje penale dhe se kështu aktgjykimi është bërë i pa kuptueshëm.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e bëjnë të pa kuptueshëm dhe është e vërtetë se në këtë çështje penale, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe është nxjerrë aktgjykimi, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale”, thuhet në njoftim.

Tutje është theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin.

“Tutje është theksuar se gjykata  e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin, si dhe rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrajës nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK, si dhe motivin e kryerësit të veprës penale. Ndërsa sa i përket çështjes së paraburgimit, i njëjti është shqyrtuar por kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se i njëjti duhet të zgjatet, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore, që i akuzuari Sh.G., të qëndroj në paraburgim”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Exit mobile version