UBT News

Apel për qytetarët në Pejë: Kujdes i shtuar ndaj zjarreve gjatë temperaturave të larta

Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve në rajonin e Pejës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret.

Duke u bazuar në përvojat e viteve të kaluara, Policia thekson se zjarret paraqesin rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe shkaktojnë dëme të mëdha materiale kudo që shfaqen.

Qytetarët kërkohet të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë tek autoritetet çdo person të dyshuar për zjarrvënie apo veprime të pakujdesshme që mund të shkaktojnë zjarr.

Po ashtu, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo individi që rrezikon jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

Apeli u drejtohet të gjithë qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm gjatë përdorimit të mjeteve që mund të shkaktojnë zjarr, si shkrepëset, cigaret, grillat dhe zjarret në natyrë.

/A.K/

Exit mobile version