Festivali i njohur veror “Wireless” është anuluar pasi artistit kryesor, Kanye West, i është refuzuar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria britanike nuk i dha leje reperit, i njohur tashmë si Ye, për të udhëtuar drejt Londrës, pas reagimeve të shumta lidhur me pjesëmarrjen e tij në festival. Gjatë viteve të fundit, ai ka shkaktuar polemika për deklarata antisemitike, raciste dhe pro-naziste.
Në një njoftim zyrtar, organizatorët e Wireless Festival konfirmuan anulimin e ngjarjes dhe bënë të ditur se të gjithë mbajtësit e biletave do të rimbursohen. Ata theksuan se para rezervimit të artistit ishin konsultuar me “palë të ndryshme të interesit” dhe se në atë kohë nuk ishin ngritur shqetësime.
Organizatorët shtuan se antisemitizmi në çdo formë është i papranueshëm dhe pranuan ndikimin real që këto çështje kanë tek individët dhe komunitetet. Sipas tyre, Ye ka deklaruar se e kupton që fjalët nuk mjaftojnë dhe shpreson të ketë mundësinë të nisë një dialog me komunitetin hebre në Mbretërinë e Bashkuar.
Parashitja e biletave për festivalin kishte nisur të martën dhe besohet se ishte shitur plotësisht, ndërsa shitja e përgjithshme ishte planifikuar për të mërkurën.
Më herët, Ministria e Brendshme britanike konfirmoi se artisti kishte aplikuar për të hyrë në vend përmes një autorizimi elektronik udhëtimi (ETA), por kërkesa iu refuzua me arsyetimin se prania e tij nuk ishte në interes të së mirës publike.
Vendimi vjen në vazhdën e kritikave të forta ndaj deklaratave të tij të mëparshme, përfshirë një postim të vitit 2022 ku ai kërcënonte me sulme ndaj komunitetit hebre shkruan BBC.
