UBT News

Anulohet sërish seanca gjyqësore në rastin e Donjeta Pajazitajt, vëllai i të ndjerës thotë se seanca po shtyhet deri sa të vdes i akuzuari

Është anuluar sërish seanca gjyqësore në rastin e Donjeta Pajazitajt. Vëllai i të ndjerës, Shkëlqim Pajazitaj, tha se seanca ishte paraparë të fillojë në orën 10:00, por ai në orën 08:26 ka marrë njoftimin se seanca është anuluar.

Përmes një shkrimi në Facebook, Pajazitaj shkroi se si familje mendojnë që seanca do të anulohet disa herë deri kur do të vdes i akuzuari dhe e vërteta do të mbetet mister.

“Seanca ishte paraparë të fillojë nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e njoftimi që nuk do të mbahet na vjen në ora 08:26, me arsye se nuk mund ta sjellin të akuzuarin në Gjykatë, a thu sot nuk do të mbahet asnjë gjyq sepse nuk paska transport shteti t’i sjellin të akuzuarit, apo vetëm për të akuzuarin për vrasjen e Donjetës nuk po mujka shteti t’i sigurojë transport”, shkroi ai.

Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit./UBTNews/

Exit mobile version