UBT News

Anulohet konferenca e Trendafilovës pas protestës së veteranëve

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë.

Një grup veteranësh së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar një konferencë e Trendafilovës, e cila u anulua pas protestës.

Udhëheqësi i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë.

Sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen për një të keqe. Unë mendoj se kjo ka ardhur vetëm ta destabilizojë Kosovën”, deklaroi Gucati.

Me anulimin e konferencës, Gucati tha se u arrit qëllimi i veteranëve.

Pas anulimit të konferencës, Dhomat e Specializuara thanë për REL-in se do t’i drejtohen opinionit publik përmes një komunikate për media.

Gjatë protestës, veteranët hodhën tym të zi para hyrjes së hotelit.

Në një reagim të përbashkët, organizatat e dala nga lufta paraprakisht thanë se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara në Prishtinë është e papranueshme dhe përbën fyerje për qytetarët e Kosovës.

Ata deklaruan se vizita e saj nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe transparencën, duke theksuar se gjykata ka një qasje arrogante dhe nuk i shërben drejtësisë.

Trendafilova ka mbajtur konferenca dhe ka qëndruar edhe më parë në Prishtinë./REL/

Exit mobile version