Organizatorët e festivalit muzikor italian ‘Un’Estate da RE’ kanë anuluar një koncert të dirigjentit rus Valery Gergiev, pas ditësh kritikash të forta nga kundërshtarët e Kremlinit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut.
Gergiev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritej të drejtonte një orkestër italiane dhe solistë nga Teatri Mariinsky i Shën Petersburgut në një performancë në Pallatin Mbretëror të Casertas, afër Napolit, më 27 korrik.
Ai ka qenë i ndaluar në skena perëndimore që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022. Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tha pas anulimit se e sheh si një akt të “arsyeshëm” që mbron “vlerat e botës së lirë”. Ndërkohë, Pallati Mbretëror nuk dha një arsye zyrtare për vendimin.
Ukraina kishte kërkuar më herët që koncerti të anulohej, duke e cilësuar Gergievin si “zëdhënës të Putinit”, që nuk duhet mirëpritur për sa kohë forcat ruse vazhdojnë të kryejnë mizori. Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus Alexei Navalny, tha për vendimin se “asnjë artist që mbështet diktaturën aktuale në Rusi nuk duhet të mirëpritet në Evropë”.
Por ambasadori rus në Itali e cilësoi vendimin si “skandaloz” dhe pjesë e një “politike të anulimit të kulturës ruse”.
Para luftës, Gergiev drejtonte shpesh në skena të mëdha si La Scala në Milano, Orkestra Filarmonike e Mynihut dhe Carnegie Hall në New York – por që nga viti 2022, të gjitha këto institucione kanë ndërprerë bashkëpunimin me të.