UBT News

Anulohen zyrtarisht koncertet e Ye në Shën Petersburg

Dy koncertet e shitura plotësisht të reperit amerikan Kanye West, i cili tashmë performon me emrin Ye, në Shën Petersburg janë anuluar zyrtarisht pas disa javësh pasigurie dhe reagimesh publike.

Ye ishte planifikuar të performonte më 10 dhe 11 tetor në “Gazprom Arena”. Megjithatë, agjencia moskovite “Say Agency” njoftoi përmes Telegramit se koncertet nuk do të zhvillohen në datat e parashikuara.

“Me keqardhje të sinqertë ju njoftojmë se koncertet nuk mund të zhvillohen. Në të ardhmen e afërt do t’ju kontaktojmë me një deklaratë zyrtare lidhur me statusin e projektit dhe planet e ardhshme”, thuhej në njoftimin e organizatorëve.

Sipas tyre, procesi i rimbursimit të biletave të blera do të nisë më 12 tetor.

Fati i koncerteve kishte mbetur në pikëpyetje prej disa javësh. Ndonëse biletat ishin shitur me ritëm rekord, drejtuesit e “Gazprom Arena” njoftuan në gusht se kontrata e qirasë së stadiumit me promovuesit nuk ishte nënshkruar.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e arenës thanë se kishin pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët lidhur me koncertet e planifikuara.

Përveç çështjeve organizative, projekti u përball edhe me kundërshtime nga zyrtarë rusë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i cilësoi koncertet e planifikuara si të papranueshme, duke iu referuar deklaratave dhe veprimeve të mëparshme të reperit në lidhje me Adolf Hitlerin.

Ndërkohë, politikani rus Nikolai Novichkov kërkoi nisjen e një hetimi ndaj muzikantit dhe deklaroi se koncertet duhej të ndaloheshin, përveç rastit kur Ye do të shprehte publikisht “mbështetje morale për Rusinë dhe operacionin special ushtarak”.

Kanye West ka shkaktuar vazhdimisht reagime ndërkombëtare për deklaratat dhe veprimet e tij. Në një prej episodeve më të fundit, ai shiti bluza me simbolin e svastikës dhe publikoi këngën “Heil Hitler”, duke nxitur kritika të forta.

Më vonë, West kërkoi falje publikisht përmes një reklame të publikuar në “The Wall Street Journal”, duke thënë se sjellja e tij ishte ndikuar nga një episod i rëndë maniak, të cilin e lidhi me çrregullimin bipolar.

Planifikimi i vizitës së reperit amerikan në Rusi tërhoqi vëmendje të veçantë edhe për shkak të zhvillimit të saj në një periudhë kur shumë artistë dhe institucione kulturore kanë shmangur Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Rusia nuk është i vetmi vend ku Ye është përballur me pengesa për zhvillimin e koncerteve. Anulimi i dy performancave në Shën Petersburg vjen pas anulimit të disa koncerteve të tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, të lidhura me çështje vizash dhe reagime publike.

Në korrik, edhe prefekti i qytetit italian Reggio Emilia ndërhyri për të ndaluar një koncert të reperit, pas një kërkese të komunitetit lokal hebre.

Pavarësisht polemikave, West ka vijuar aktivitetin e tij koncertor në kuadër të promovimit të albumit të tij të 12-të solo, “Bully”, të publikuar në mars. Para anulimit të koncerteve në Rusi, reperi kishte performuar në SHBA, Turqi, Holandë, Gjeorgji, Shqipëri, Portugali dhe Kazakistan.

D.L

Exit mobile version