UBT News

​Antidroga realizon operacionin ‘Befasia’, sekuestrohen lëndë narkotike dhe arrestohet i dyshuari

Antidroga e Policisë së Kosovës ka realizuar operacionin ‘Befasia’, ku janë sekuestruar lëndë narkotike dhe është arrestuar i dyshuari për trafikim të substancave narkotike.

“Më datë 11 mars 2025, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve-Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë-Mitrovicë Jug, kanë realizuar një kontroll të planifikuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në lagjen Koloni në qytetin e Mitrovicës. Ky kontroll u realizua si pjesë e planit taktik të quajtur ‘Befasia’, në kuadër të luftës kundër krimeve të organizuara dhe trafikimit të substancave narkotike”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të realizuar në këtë operacion policor, janë sekuestruar: 24 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 7.5 gram, 6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 68.7 gram, 4 tableta Ekstazi, me peshë totale 2.2 gram, qese të zbrazëta, që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla dhe 1 telefon mobil që dyshohet të jetë përdorur për aktivitetet e paligjshme.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i Krimteknikës Rajonale, i cili ka kryer fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e të gjitha provave materiale. Hetuesit e DHTN-së, pas realizimit të veprimeve operative, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Në bazë të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili sipas policisë ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit.

“Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug. Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Ky aksion sipas policisë është një tjetër hap në luftën e vazhdueshme kundër krimeve të organizuara dhe trafikut të narkotikëve, dhe dëshmon angazhimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.

Exit mobile version