Jo më larg se në pranverë ajo kryesonte në sondazhe, pastaj pasoi një fushatë zgjedhore me shumë defekte. Kush është kryetarja e partisë ekologjiste, Të Gjelbrit, kandidatja për kancelare Annalena Baerbock?
Ishte atëherë ende në krye, më 19 prill 2021: Së bashku me bashkëkryetarin e partisë Të Gjelbrit, Robert Habeck, Annalena Baerbock, 40 vjeç, doli para shtypit në Berlin dhe deklaroi se do të jetë kandidatja e partisë për kancelare. E para me një shans real në atë kohë për t’u zgjedhur. Në atë kohë disa sondazhe i shihnin të Gjelbrit para Unionit CDU-CSU dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Në përputhje me to Baerbock u prezantua me vetëbesim me fjalët: “Kështu sot fillon një kapitull i ri për partinë tonë. Dhe nëse ne e bëjmë mirë, edhe për vendin tonë “.
Gabime dhe dështime në fushatën elektorale
Por Të Gjelbrit nuk e bënë mirë. Baerbock-ut iu desh të pranonte, se nuk i kishte raportuar siç duhet në Bundestag pagesat e partisë. CV-ja e saj zyrtare përmbante gabime, Baerbock kishte renditur organizata, në të cilat ishte gjoja anëtare, si për shembull “Fondi Marshall gjerman”. Por ajo nuk aty është anëtare. Dhe në qershor Baerbock publikoi një libër me titull: “Tani. Si të rinovojmë vendin tonë”. Në të ajo kopjoi pjesë të tëra nga autorë të tjerë, gjë që vetë e pranoi menjëherë si gabim, por popullariteti i saj ra ndjeshëm.
Tani pak para zgjedhjeve të Gjelbrit, edhe për shkak të gabimeve të kandidates së tyre, kanë vetëm rreth 15 përqind të votave. Një rezultat i mirë ky për të Gjelbrit, por larg ëndrrave të së kaluarës.
Tre vite shumë të shpejta në krye të partisë
E re, me vetëbesim, me dëshirë për pushtet: Ky ishte imazhi, që Baerbock dëshironte t’i jepte vetes, që kur u bë e njohur në mbarë vendin. Në fillim të 2018 ajo u zgjodh kryetare e partisë. E veshur me një xhaketë të zezë lëkure, deputetja e Bundestagut nga Brandenburgu eci drejt foltores në kongresin e partisë në Hanover, ku mbajti një fjalim pasionant dhe luftarak. Sidomos një fjali e saj u citua në ditët dhe javët në vijim: “Ne nuk po zgjedhim sot gruan në krah të Robertit, por po zgjedhim kryetaren e re!”, tha Baerbock mes duartrokitjeve të stuhishme të delegatëve.
Fillimisht më pak e njohur se Robert Habeck, partneri i saj në kryesinë e të Gjelbërve, ajo kishte zhvilluar prej kohësh profilin e vet: si eksperte e klimës në grupin parlamentar; si eksperte e politikës së jashtme; si aktiviste e guximshme kundër populizmit dhe ksenofobisë. Kur dyshja e suksesshme e Të Gjelbërve u konfirmua pothuajse dy vjet më vonë, në dimrin e vitit 2019, në një kongres të partisë në Bielefeld, Baerbock mori 97 përqind të votave. “Burri në krah të saj”, bashkë-kryetari Habeck, mori 90 përqind.
Sportiste dhe eksperte e së drejtës ndërkombëtare
Ajo ka qenë përherë ambicioze. Kur ishte adoleshente Baerbock, e lindur në 1980 në Hanover, ishte sportiste dhe merrte pjesë në gara. Në kampionatet gjermane në kërcimin e trampolinës ajo zuri vende të treta. Në moshën 16 vjeçare shkoi për një vit në SHBA. Më vonë ajo studioi në Hamburg dhe në “London School of Economics and Political Science”, atje mori një diplomë master. Baerbock është në gjendje të japë intervista në një anglishte të rrjedhshme. Kjo nuk është e vetëkuptueshme për politikanët gjermanë as në vitin 2021.
Pas zgjedhjes së saj dhe të Habeckut në krye të partisë, Të Gjelbrit përjetuan rezultate të mira në sondazhe, me rreth 20 përqind në të gjithë vendin, plus sukseset elektorale në zgjedhjet evropiane dhe në zgjedhjet në landet gjermane. Deri në momentin kur me avancimin e fushatës zgjedhore partia filloi të bjerë gjithnjë e më shumë në sondazhe.
Për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri dhe kufizimin e shpejtësisë
Ashtu si dhe Habeck, Baerbock nuk i frikësohet kontaktit me politikanët konservatorë. Që kur ata të dy janë në krye të ekologjistëve, ka pasur vazhdimisht spekulime për një koalicion të mundshëm të CDU, CSU me të Gjelbrit pas zgjedhjeve. Por Baerbock, e cila konsiderohet me lidhje të forta brenda të Gjelbërve, i kushton rëndësi të madhe programit të vet ekologjik.
Ajo është për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri në Gjermani para vitit 2038, siç planifikon qeveria aktuale. Ajo është për një limit shpejtësie prej 130 kilometrash në orë në autostrada, është kundër rritjes së shpenzimeve gjermane për mbrojtjen, edhe pse partnerë të rëndësishëm si SHBA dhe CDU dhe CSU e kërkojnë me ngulm këtë gjë.
Në programin e tyre zgjedhor Të Gjelbrit kërkojnë hapa shumë më energjikë për mbrojtjen e klimës, që vijnë pa dyshim edhe si rezultat i ndikimit të ekspertes së klimës Baerbock.
Green Deal i evropianëve me SHBA
Në një intervistë për DW në janar 2021 Baerbock ishte e lumtur për presidentin e ri të SHBA Joe Biden dhe kthimin e tij te marrëveshja e Parisit për mbrojtjen e klimës. Por në të njëjtën kohë udhëheqësja e Të Gjelbërve formuloi edhe pritjet e saj të qarta dhe konkrete: “Letrat presin me durim. Këtë e kemi përjetuar vitet e fundit. Prandaj kjo situatë duhet shfrytëzuar nga ne evropianët, qeveria gjermane, që propozimet që ka bërë administrata amerikane për një bashkëpunim neutral për klimën, të zbatohen vërtet. Ne duhet të bëjmë propozimet tona për një “Green Deal” transatlantik, evropian.”
Në programin e tyre zgjedhor, Të Gjelbrit nuk kanë deklaruar si shpesh herë në të kaluarën, se synojnë të bëjnë aleancë kryesisht me socialdemokratët. Sipas sondazheve aktuale, të Gjelbrit mund të qeverisin me SPD dhe Liberalët, ndoshta madje edhe me SPD dhe partinë e Majta. Por edhe një koalicion me CDU, CSU dhe FDP, për shembull, do të ishte i mundur.
Në kryeqytetin e Brandenburgut, Potsdam, ku jeton Annalena Baerbock, do të ketë pa dyshim një duel të fortë në zgjedhjet parlamentare: Baerbock është kandidatja e të Gjelbërve. SPD përfaqësohet nga zëvendëskancelari dhe ministri i Financave Olaf Scholz. Dhe ai është kandidati i socialdemokratëve për kancelar.DW