UBT News

Ankohen shërbyesit civilë: Ligjet veç në letër, shpeshherë s’po zbatohen

Sindikata e Shërbyesve Civil në vazhdimësi ka shprehur pakënaqësitë lidhur me trajtimin që iu është bërë.

Kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se pandemia ka bërë që sektorët vital të mos marrin pagat shtesë.

“Me vetë faktin që kemi shprehur pakënaqësinë për diskrimimin që në vazhdimësi është bërë e në veçanti edhe kohëve të fundit me rastin e pandemisë dhe ndarjes së mjeteve buxhetore të taksapaguesve tanë për sektorë të caktuar dhe janë lënë sektorët vital që vërtetë kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë me qytetarët në kohë të pandemisë dhe nuk janë bërë pagesa e pagave shtesë. Sektorëve të tjerë u janë dhënë, kjo tregon mjaftueshëm se si janë trajtuar shërbyesit civil dhe prandaj them se kemi një pakënaqësi të madhe sa i përket trajtimit të shërbyesve civil”, deklaroi ai.

Sipas tij, Kosova ka ecur mirë për sa i përket ligjeve në letër, por ato në praktikë nuk po zbatohen.

Zymberi shtoi se paga jubilare në sektorin e shërbimit civil merren vetëm 25% e pagës përderisa sektorë të tjerë marrin komplet pagën, raporton EO.

“Me ligje Kosova ka ecur mirë për sa i përket ligjeve në letër, por ato në praktikë nuk ndodhin sepse dhe shpeshherë janë të pazbatueshme sepse ne mëtojmë të jemi në Evropë, por rrethanat kosovare kërkojnë diçka tjetër. Prandaj pavarësisht që kemi një ligj të administratës publike ligj mbi organizimin e administratës publike në situata të caktuara edhe ato çështje, benefite që janë të parapara për shërbyesit civil nuk zbatohen. Paga jubilare në sektorin e shërbimit civil merret vetëm 25% e pagës përderisa sektorë të tjerë marrin komplet pagën. Shujtën e marrin sektorë të tjerë dhe nuk e marrin shërbyesit civil. Këto janë të parapara në ligj. Dhe shpeshherë shërbyesit civil detyrohen të shkojnë në rrugën gjyqësore për të kërkuar të drejtën e tyre”, deklaroi ai.

Exit mobile version