UBT News

Ankesë te Avokati i Popullit për zgjedhjet e 14 shkurtit

Organizata Germin ka mbledhur ankesat e qytetarëve të diasporës të cilët pretendojnë se iu janë shkelur të drejtat e tyre në procesin e votimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Të njëjtat i hartuar në një raport të cilën e ka dorëzuar në formë ankese të institucioni i Avokatit të Popullit (IAP). Nga ky i fundit presin sqarime rreth vendimeve që kishte marrë KQZ e PZAP në këtë proces duke mos përjashtuar mundësinë që t’i drejtohen pastaj edhe Gjykatës Kushtetuese.

Lirim Krasniqi nga organizata Germin, pas dorëzimit të ankesës tha se në vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së lidhur me procesin zgjedhor të 14 shkurtit ka pasur shkelje të cilat cenojnë të drejtën e votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

“Presim të paktë një opinion sa i përket disa çështjeve duke filluar nga I KQZ-së për telefonimin e votuesve jashtë vendit, e deri të vendimet e PZAP-së pastaj edhe vendimet për të mos pranuar pako me fletëvotime të cilat kanë ardhur pas afatit, po ashtu edhe çështjen e vonesave në ardhjen e zarfeve, kemi edhe çështje të tjera siç është vonesat ose pamundësia e ankesave për të gjithë ata votues që nuk janë gjendur në listën e votuesve nga jashtë, edhe pse kanë plotësuar të gjithë kriteret juridike”, tha ai.

Germin në bashkëpunim me zyrën e avokatëve Hodaj&Partners kishin nisur në fushatë për të mbledhur ankesat e të gjithë qytetarëve të cilët pretendojnë se u është mohuar e drejta e votës.

Ata presin që institucioni i Avokatit të Popullit të konstatojë që ka pasur vështirësi për qytetarët e diasporës në procesin e votitmit.

“Po shpresojmë që Avokati i Popullit do të mirëkuptojë këtë kërkesë dhe do të shqyrtojë në themel, të jap një konstatim dhe pas atij konstatimi pastaj do i mbetet organeve të tjera apo parlamentit, apo KQZ-së që t’i ndryshojë rregulloret e tyre, apo Parlamentit të ndryshojë ligjet në tërësi, nëse jo atëherë është mjeti tjetër juridik që t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar ligjin për zgjedhje apo për të dhënë një sqarim që mos të krijohen pengesa shtesë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit”, tha avokati Taulant Hodaj.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt të këtij viti.

Exit mobile version