Gjiganti Twitter u akuzua nga 100 ish-punonjës për shkelje të ndryshme ligjore qëkur miliarderi Elon Musk mori drejtimin e kompanisë. Ankesat lidhen kryesisht me shënjestrimin e grave për largime nga puna dhe mosdhënien e pagesave pas largimit të tyre.
Shannon Liss-Riordan, një avokate e punëtorëve, tha se ajo ka paraqitur 100 kërkesa për arbitrazh kundër Twitter-it.
Të gjithë punëtorët nënshkruan marrëveshje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ligjore kundër kompanisë në arbitrazh dhe jo në gjykatë, tha Liss-Riordan.
Twitter largoi nga puna afërsisht 3 mijë e 700 punonjës në fillim të muajit nëntor, pas një vendimi për uljen e kostove nga Musk, i cili pagoi 44 miliardë dollarë për të blerë platformën e mediave sociale, dhe qindra punonjës të tjerë më pas dhanë dorëheqje.
Ish-punonjësit akuzojnë Twitterin për diskriminim seksual, shkelje të kontratës dhe largim të paligjshëm të punonjësve që ishin në pushim mjekësor ose prindëror./UBTNews/