UBT News

Ankara: 625 bastisje, 525 të dyshuar në pranga për drog

Policia turke ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë mëngjesin e së enjtes në Ankara, duke çuar në arrestimin e 525 personave të dyshuar si tregtarë të lëndëve narkotike. Ky aksion, që përfshiu mbi 625 adresa të ndryshme në kryeqytet, është cilësuar nga Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, si “operacioni më i madh i narkotikëve në historinë e Turqisë”.

Operacioni u mbështet nga mijëra forca policore, qen të trajnuar, dronë dhe helikopterë, dhe u realizua pas një periudhe 6-mujore të hetimeve teknike dhe fizike. Gjatë kësaj kohe, autoritetet kanë mbikëqyrur aktivitetin e të dyshuarve, të cilët dyshohet se kanë shpërndarë lëndë narkotike përmes rrjeteve sociale dhe platformave online.

Sipas Yerlikaya, shumë prej të arrestuarve ishin të angazhuar në shpërndarjen e drogës në rrugë dhe lagje të ndryshme të qytetit. “Ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që operojnë në këtë sektor të errët: rrugët ku keni hyrë janë rrugë qorre,” u shpreh ai.

Ministria e Brendshme ka njoftuar se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim çrrënjosjen e plotë të rrjeteve kriminale që veprojnë në kryeqytet.

Exit mobile version