Një bandë shqiptare e krimit nga Londra, e akuzuar për trafikimin e qindra imigrantëve përmes kanalit që e lidh Britaninë e Madhe me Francën, është arrestuar nga Agjencia Kombëtare e Krimeve në Britani të Madhe.
Përpos pesë të dyshuarve që u arrestuan në Londër, dy të dyshuar të tjerë u arrestuan në Surrey dhe Oxfordshire, shkruan Evening Standard, transmeton Gazeta Express.
Shumë prej imigrantëve besohet se janë futur në Britaninë e Madhe të fshehur prapa mobilieve në automjete të caktuara posaçërisht për të trafikuar imigrantë ilegalë përmes një rrjeti me lidhje në mbarë Evropën.
Imigrantët raportohet se paguanin deri në 25.000 funte për t’u futur në Britaninë e Madhe. Autoritetet arritën që t’i zbulojnë gjashtë përpjekje për trafikim, ndërsa dy raste të tjera u ndërprenë pa arritur në breg. Grupi kriminal që qëndronte prapa trafikimeve u zbulua.
Shtatë anëtarë të grupit kriminal janë arrestuar. Në operacionin e bastisjeve morën pjesë mbi 100 oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimeve, policisë metropolitane dhe ekipeve për migrim të Ministrisë së Brendshme.
Autoritetet konfiskuan rreth 30.000 funte kesh, ndonëse dyshohet se në aktivitetet e këtij grupi kanë qarkulluar qindra mijëra funte.
Të gjithë të dyshuarit po merren në pyetje nën dyshimin për shkelje si lehtësim të hyrjes ilegale në Britani dhe pastrim parash.
Ndryshe, Agjencia Kombëtare e Krimeve më parë ka thënë se beson që grupet e organizuara kriminale të shqiptarëve e kontrollojnë tregun ilegal të kokainës në pothuajse secilin qytet të madh të Britanisë si dhe janë të përfshira në aktivitete të tjera kriminale si trafikimi.