Konflikti mes ish-çiftit të famshëm të Hollivudit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt, po bëhet gjithnjë e më i ashpër, ndërsa dokumentet e fundit gjyqësore zbulojnë detaje të reja për vështirësitë financiare të aktores pas divorcit.
Vështirësitë pas ndarjes dhe kujtimet e dhimbshme në Miraval
Në dosjet e paraqitura në gjykatë, fituesja e “Oscar”-it rrëfen se periudha pas ndarjes ka qenë emocionalisht e vështirë për të dhe gjashtë fëmijët – Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Knox dhe Vivienne. Pas divorcit, Jolie i dorëzoi Pitt-it kontrollin mbi shtëpitë familjare në Los Angeles dhe mbi Château Miraval, pronën luksoze në Francë ku çifti u martua dhe kaloi disa nga momentet më të lumtura të familjes.
“Shpresoja që kjo do ta qetësonte pas një periudhe të vështirë dhe traumatike”, ka shkruar ajo në dokumentet gjyqësore, duke shtuar se as ajo dhe as fëmijët nuk janë kthyer më kurrë në Miraval, pasi ajo shtëpi u kujton kujtime tepër të dhimbshme.
Probleme financiare dhe hua nga Pitt
Aktorja tregon se pas divorcit, iu desh të kërkonte vend të ri për të jetuar me fëmijët, fillimisht me qira, ndërsa për dy vite kishte hequr dorë nga puna për t’u përqendruar tek mirëqenia e tyre emocionale. Kjo periudhë e la Jolie-n në vështirësi financiare, saqë – sipas saj – u detyrua të kërkonte hua para nga Pitt, e madje me interes.
“Isha e shqetësuar për fëmijët e vendosa të mos punoja për disa vite. Por kjo më vuri në një situatë të rëndë financiare,” ka deklaruar ajo.
Përplasja për Miraval
Çështja kryesore që i mban ende të lidhur në gjykatë është prona Miraval dhe kompania e verërave që e shoqëron atë.
Pitt ka paditur ish-bashkëshorten, duke pretenduar se shiti aksionet e saj pa miratimin e tij, ndërsa Jolie mbron qëndrimin se kishte të drejtë ligjore ta bënte shitjen e nuk kishte pse të kërkonte lejen e tij. Aktorja shton se kursimet ishin të lidhura me Miraval dhe se nuk kishte kërkuar alimentacion apo ndihmë financiare nga Pitt, gjë që e detyroi të përdorte fondet e përbashkëta për të mbuluar shpenzimet e saj.
Nga simbol dashurie në burim konflikti
Dikur vendi ku u kurorëzua dashuria e tyre, Miraval është kthyer sot në një mollë sherri.
“Miraval ishte një nga investimet tona më të mëdha. U martuam atje, kalova një pjesë të shtatzënisë e solla binjakët tanë në atë shtëpi. Ishte e dhimbshme të ndahesha nga këto kujtime, veçanërisht për fëmijët,” ka shkruar Jolie.
Çfarë kërkon Jolie tani?
Aktorja po kërkon nga Pitt 33,000 dollarë për të mbuluar shpenzimet ligjore, beteja për Miraval vazhdon pa një zgjidhje përfundimtare. /A.Z/UBT News/