UBT News

Angela Merkel: Zemra ime rreh për këtë rajon

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, falënderoi kryeministrin Ramën për mikpritjen në vizitën e saj të fundit si zyrtare.

“Uroj dhe përgëzoj Shqipërinë për të gjitha përpjekjet për të ristrukturuar sistemin e drejtësisë. Sikundër Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut besoj që i kanë përmbushur kushtet për të nisur negociatat. Për fat të keq nuk u realizua dot për shkak të vetos bullgare, por kemi premtuar se do të jemi pranë këtij procesi. Shpresoj që deri më 6 tetor të kemi arritur progres”, tha Merkel.

Shumëçka ka ndryshuar në marrëdhëniet e popujve të Ballkanit, konstatoi Kancelarja. “Udhëheqësit takohen më shpesh me njëri-tjetrin. Kemi folur gjithashtu për projekte të rëndësishme infrastrukturore, si nisja e punimeve të autostradës së paqes”.

Merkel tha se diskutoi me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor që, në momentin kur këto vende të futen në BE, kanë edhe detyrime që duhet të përmbushin. “Prandaj ka shumë mundësi për bashkëpunimin rajonal. Prandaj i jam shumë mirënjohës për 4 marrëveshjet e nënshkruara deri tani. Jo të gjithë i kanë nënshkruar, por kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë, aq më i fortë do të jetë edhe procesi i Berlinit. Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE. Gjermania ka një interes të vetin në anëtarësimin e këtyre shteteve në BE, por e përshëndes bashkëpunimin rajonal. Zemra ime rreh për këtë rajon… Ndoshta do të më nxis dielli që të vij dhe të ndjek më nga afër zhvillimin e këtyre vendeve”.

Exit mobile version