UBT News

Angela Merkel, fundi i një epoke. Ballkani Perëndimor humbet “nënën” politike

Angela Merkel. Një emër që kur përmendet ka respektin e plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, tashmë është momenti për të bërë llogaritë, pasi kancelarja gjermane do të tërhiqet nga politika, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Në këto 16 vite, Merkel do të mbahet mend për shumë etiketime pozitive, si “gruaja e marrëveshjeve”, liderja me zemër të madhe për emigrantët, zonja e hekurt e politikës ndërkombëtare, por edhe si “nëna politike” e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Roli i saj në rajonin tonë mori një rëndësi shumë të madhe në vitin 2014, kur Bashkimi Evropian mbylli derën e anëtarësimit. Kjo bëri që kancelarja të inicionte Procesin e Berlinit, duke treguar që Gjermania, por edhe vende të tjera të rëndësishme të bllokut, si Franca, Italia, dhe Austria, do të vazhdonin të mbështesnin Ballkanin Perëndimor.

Synimi i këtij formati do të ishte pikërisht rritja politike e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përmbushur reformat e nevojshme për t’iu afruar anëtarësimit në BE. Me një sërë takimesh në këto 7 vite, liderja gjermane ktheu shpresën europiane për rajonin. Një sërë marrëveshjesh u arritën, megjithatë synimi kryesor nuk u përmbush, ai i anëtarësimit.

Përballë pasigurive për vazhdimin e Procesit të Berlinit, Merkel dha bekimin për krijimin e Ballkanit të Hapur, një platformë për bashkëpunim rajonal, ku liderët takohen pa nevojën e një ndëmjetësuesi ndërkombëtar. Gjithashtu, ishte zëri më i fuqishëm në zyrat e Komisionit Europian që dilte në mbrojtje dhe mbështetje të rajonit, shpeshherë edhe duke u përplasur me aleatët, si Franca.

Merkel, si “nënë politike”, është angazhuar edhe në shuarjen e mosmarrëveshjeve si ajo mes Kosovës dhe Serbisë. Për kancelaren, zgjidhja për këtë çështje është njohja e ndërsjellë. Në këto 16 vjet, Merkel u bë udhëheqësja numër një e Bashkimit Europian, u shpall gruaja më me ndikim në botë.

Largimi i saj nga politika lë një boshllëk shumë të madh, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën, por edhe për mbarë globin.a2news

Exit mobile version