UBT News

Anëtari i KQZ hedh dyshime për “Trenin Bullgar” në një qendër vendvotimi në Shtime

Anëtari i  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi ka shprehur shqetësim në lidhje me parregullsie që sipas tij janë evidentuar në një vendvotim në fshatin Belinc të Komunës së Shtimes.

Ai ka ngritur dyshime për metodën “Treni Bullgar”, meqenëse thotë se është gjetur një fletëvotim fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Me këtë rast, Gashi u ka bërë thirrje organeve të rendit që të nisin hetime.

“Nga pozita ime si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me parregullsitë serioze të evidentuara në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes.  Bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, ftoj organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe organet e tjera hetimore, që të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Gashi.

Ai më tej shkruan se nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend.

“Çdo kërkesë mëpas e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet mbrojtur dhe respektuar në çdo rrethanë. KQZ dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi”, ka shkruar Gashi./S.K/EO/

Exit mobile version