Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026, njoftuan dy shtetet gjatë takimit të aleancës së NATO-s. Ky konsiderohet një hap i madh që synon të luftojë, atë që aleatët e cilësojnë si kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Evropën.
Sipas vendimit, Uashingtoni do të dërgojë në Gjermani armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë dhe ky vendim po shihet si paralajmërim i qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga SHBA-ja dhe Gjermania u tha se “dislokimet episodike” ishin përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të aftësive ushtarake që përfshijnë raketat SM+6, Tomahawk dhe dislokimin e armëve hipersonike me rreze të gjatë veprimi.
Një dislokim i armëve të tilla do të ishte i ndalueshëm nga Traktati për forcat bërthamore me rreze të mesme veprimi, që SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar më 1987. Por, ky traktat u zhbë më 2019.
“Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët e NATO-s përmes një deklarate të lëshuar të mërkurën, më 10 korrik.
Po ashtu, NATO paralajmëroi se më shumë ndihmë do t’i dërgohet Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin rus që nga viti 2022.
Në deklaratën e NATO-s u tha se aleatët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake vitin e ardhshëm.
Në këtë dokument po ashtu është përdorur gjuhë më e ashpër ndaj Kinës, duke e akuzuar Pekinin se “mundëson” përpjekjet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në deklaratë u tha se Kina vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euroatlantike.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve se për herë të parë 32 aleatët bashkërisht e kanë cilësuar Kinën si një shtet vendimtar në mundësimin e luftës së Rusisë. Ai tha se ky është një mesazh i rëndësishëm.
Stoltenberg tha se aleanca nuk është një organizatë që vendos sanksione, por shtoi se “në fund të fundit, ky do të jetë një vendim për secilin aleat, por mendoj se mesazhi që ne dërguam nga ky samit i NATO-s është shumë i qartë”.
NATO i bëri thirrje Kinës që të mos i dërgojë materiale dhe të mos i ofrojë mbështetje politike luftës së Rusisë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpriti partnerët dhe aleatët e NATO-s në një darkë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, për të festuar, siç tha ai, “aleancën më të madhe që bota ka pasur ndonjëherë”.
Ai tha se është i kënaqur që të gjithë anëtarët e NATO-s po zotohen që të zgjerojë bazat e tyre industriale për të zhvilluar plane për prodhimin e armëve brenda shteteve të tyre.
“Nuk mund të lejojmë që aleanca të mbetet prapa. Ne mund dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe këtë do ta bëjmë së bashku”.
Shqetësimet për moshën dhe aftësinë e presidentit Biden për të udhëhequr me shtetin janë rritur, pasi shanset e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit u dëmtuan nga paraqitja e tij në debatin e parë presidencial kundër Donald Trumpit muajin e kaluar.
Teksa po mbahet samiti treditor i NATO-s në Uashington, kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, i tha Fox News Radio se ai nuk do të largonte shtetin nga NATO, por përsëriti qëndrimin e tij se dëshiron që shtetet e aleancës të paguajnë më shumë.
“Vetëm dua që të paguajnë faturat. Ne po mbrojmë Evropën dhe ata po na shfrytëzojnë shumë keq”, tha ai.
Gjatë samitit në Uashington, disa zyrtarë të lartë evropianë u takuan gjatë samitit me këshilltarin kryesor të Trumpit për politikën e jashtme, teksa paqartësia lidhur me të ardhmen e udhëheqjes amerikane ka ngritur shqetësime në mesin e aleatëve.
Trump në të kaluarën kishte shtyrë republikanët në Kongresin amerikan që të vononin miratimin e një pakete të madhe të ndihmës për Ukrainën, por më vonë ai ndryshoi qëndrim.
Sa i përket të ardhmes së Ukrainës në aleancë, në deklaratën e NATO-s u tha se aleanca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “në rrugën e saj të pakthyeshme të integrimit të plotë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO”./REL/