Disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bënë thirrje të martën Rusisë që të tërheqë forcat e saj nga Ukraina, pasi lufta do të hyjë në vitin e tretë në fund të këtij muaji.
“Ne ripërtërijmë thirrjet tona për Rusinë që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”, tha Robert Wood, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OKB, në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Ne e dimë këtë: Kremlini mban përgjegjësinë e plotë për vdekjen dhe shkatërrimin e pandërgjegjshëm të shkaktuar si pasojë e luftës së agresioni të Putinit (presidentit rus Vladimir) kundër Ukrainës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së”, tha ai.
Rusia kërkoi mbledhjen e këshillit pasi 28 persona u vranë në sulmin e së shtunës në një furrë buke në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia. Moska e përshkroi bombardimin si një “sulm terrorist” nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Duke theksuar se Rusia vazhdon “sulmet e saj të pamëshirshme” kundër Ukrainës, Wood tha se “agresioni i Moskës kundër Ukrainës është një shkelje e hapur” e Kartës së OKB-së dhe e integritetit territorial të Ukrainës.
Koordinatori politik i Mbretërisë së Bashkuar në OKB Fergus Eckersley tha se mijëra njerëz janë vrarë në 700 ditët që nga fillimi i “pushtimit barbar” të Rusisë në Ukrainë.
“Është vetëm Rusia që është përgjegjëse për shkatërrimin e shkaktuar nga kjo luftë”, tha Eckersley, duke akuzuar Moskën për shkeljen e Kartës së OKB-së.
“Rruga më e shpejtë drejt paqes është që Presidenti Putin t’i japë fund pushtimit të tij të paligjshëm. Ne përsërisim thirrjen tonë për Rusinë që të respektojë Kartën e OKB-së dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina”, shtoi ai.
Më 24 shkurt, konflikti do të hyjë në vitin e tretë.