Të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo vjen pas miratimit me sukses të raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Në Strasburg ndodhet shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla dhe zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, për të zhvilluar takime dhe koordinuar veprimet me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Po ashtu ndodhet edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci. Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, thuhet në komunikatë.
Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës. Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE do të mbetet hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror më 16 maj.