Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se anëtarësimi i Kosovës i hapë rrugë edhe minoriteteve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ai ka thënë gjatë diskutimeve se Kosova i plotëson standardet dhe kushtet.
“Këtë e kanë thënë tashmë juristët eminent dhe te tri raportueset. Anëtarësimi i Kosovës i hapë rrugë edhe minoriteteve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Është WIN-WIN, fitore e të gjithëve”, ka thënë Tahiri.
Tahiri po ashtu shtoi se në të dy takimet e Komiteteve, në atë për Barazi dhe Mosdiskriminim dhe në Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut, diskutimet dhe votimet treguan se shumica dërmuese janë në anën e Kosovës.
“Në të parin votimi ishte i qartë, 30 vota ishin PËR, 2 KUNDËR dhe 4 abstenime ndërsa në të dytin, në Legal 23 vota PËR dhe 3 KUNDËR. Ky trend i votimit tregon saktë se 2/3 e votave janë reale për votimin e sotshëm. Për pak do të kemi edhe një betejë atë të mos votimit të 16 amandamendeve, shumica të iniciuara nga delegacioni serb”, tha ai.