Anemia më së shpeshti shfaqet në ditët e para të pranverës Anemia apo pagjakësia është zvogëlim i aftësive të gjakut që të transportojë oksigjenin, por më së shpeshti ndodh për shkak të zvogëlimit të sasisë së rruazave të kuqe të gjakut – eritrocitet dhe hemoglobina në gjak.
Pagjakësia e fëmijës së moshës njëvjeçare shfaqet më së shpeshti për shkak të marrjes së pamjaftueshme të hekurit me ushqim, të absorbimit të pamjaftueshëm të tij apo për shkak të shfrytëzimit të dobët.
Çka e shkakton?
Shkaktarët e anemisë mund të jenë prodhimi i pamjaftueshëm apo zbërthimi i tepërt i eritrociteve apo humbja e gjakut.
Te të porsalindurit dhe te fëmijët e vegjël anemia është dukuri fiziologjike për shkak të zbërthimit të shtuar “të tepricës” së eritrociteve me të cilat fëmija lind.
Anemia më së shpeshti shfaqet në muajin e dytë ose të tretë të jetës, sepse eritrocitet të cilat janë krijuar në moshën e fetusit jetojnë 60 deri në 70 ditë, vëllimi i gjakut shpejt shtohet, sepse fëmija rritet shpejt, ndërsa eritrocitet e reja nuk prodhohen mjaftueshëm shpejt.
Më së shpeshti anemia shfaqet në ditët e para të pranverës pas periudhës së gjatë të dimrit kur në ushqim mungojnë pemët dhe perimet e pasura me hekur.
Si ta identifikojmë?
Fëmijët anemikë kanë humor relativisht të mirë, mirëpo shpejt lodhen, por mund të shfaqet edhe frymëmarrje e vështirësuar.
Simptomat të cilat prindërit më së shpeshti i identifikojnë si shenja të mundshme të anemisë te fëmijët është lëkura dukshëm e zbehtë, e cila nuk mund të jetë përherë tregues i sigurt i anemisë.
Mosinteresimi për lojë, apetiti i dobët (gjë që edhe më shumë e zvogëlon përqendrimin e hekurit në gjak) dhe djersitja e shtuar, gjithashtu, i orientojnë prindërit të kërkojnë ndihmën e mjekut.
Ushqimi i cili është i pasur me hekur:
⦁ Ushqimi me prejardhje shtazore – mishi, të brendshmet;
⦁ Perimet me gjethe të gjelbra – spinaqi, panxhari, lulelakra, panxhari i kuq;
⦁ Pemët – janë të pasura edhe me vitaminën C, e cila përmirëson absorbimin e hekurit;
⦁ Bishtajoret – borania, bizelja, fasulja (për fëmijët më të rritur).