UBT News

Analizë: Fundosja e luftanijes ruse, goditje për presidentin Putin

Nga Debora Haynes, gazetare britanike

Ukraina pretendon se e goditi luftanijen ruse me dy raketa të mërkurën, pretendime të cilat nuk janë konfirmuar nga Rusia apo verifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusia deklaroi se anija u dëmtua për shkak të një zjarri dhe u fundos ndërsa po tërhiqej në breg.

Fundosja e luftanijes ruse në Detin e Zi është goditje për përpjekjet e Moskës dhe turp i madh për presidentin rus, Vladimir Putin. Moskva është kryqëzori i parë që humbi në një konflikt qysh prej luftës së Falklands. Në fakt, mund të jetë edhe luftanija më e madhe që u përmbyt në kohë lufte qysh prej vitit 1945, diku 12 mijë e 500 ton. Ukraina tha se e sulmoi luftanijen me dy raketa të mërkurën. Më pas anija u fundos teksa po tërhiqej për në breg për shkak të stuhisë.

Moskva, një anije ruse e periudhës sovjetike e ndërtuar për të kundërshtuar pushtetin e ShBA-së

Moskva hyri për herë të parë në shërbim të marinës sovjetike në vitin 1983. Ajo u ndërtua në Ukrainën e atëhershme sovjetike dhe në atë kohë quhej Slava (Lavdi). U riemërua Moskva (Moskë) në vitin 1995 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Luftanija ofroi siguri për takimin mes liderit sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush në Maltë në dhjetor të vitit 1989. Vladimir Putin ka mbajtur gjithashtu takime në bord me liderë botërorë.

Një zyrtar perëndimor tha se shpjegimi rus për shkaqet e sulmit “vështirë që mund të besohet” dhe nëse është e vërtetë do të tregonte paaftësi serioze nga ana e ushtrisë ruse. Kurse deklarata e Ukrainës sipas tij duket e besueshme.

Sidoqoftë, humbja është goditje e radhës për Rusinë teksa lufta ndaj Ukrainës hyri në javën e tetë, ende pa asnjë fitore të madhe dhe me humbje të mëdha në personel dhe mjete ushtarake.

Për Ukrainën, fundosja është një shtytje e mirëpritur për një vend që është goditur – dhe vazhdon të jetë – i goditur nga sulmet, raketat dhe zjarri i tankeve ruse.

Përktheu dhe përshtati UBTNews

Exit mobile version