UBT News

Analiza e zbatimit të politikave të gjelbra të BE-së në Kosovë: Një kontribut shkencor nga Arian Kadriu, Aleksandra Palkova dhe Visar Hoxha

Punimi “Political and Security Reasons as Factors of Implementing EU Green Policies and Directives in Kosovo to Align with the EU Acquis and Transition Towards a Greener Country,” i studiuar nga profesorët Aleksandra Palkova, Arian Kadriu dhe Visar Hoxha, i publikuar së fundi në revistë shkencore ofron një analizë të hollësishme mbi faktorët politikë dhe të sigurisë që ndikojnë në zbatimin e politikave të gjelbra të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

 

Ky hulumtim është një kontribut i rëndësishëm në fushën e politikave mjedisore dhe procesin e integrimit evropian të vendit. Në aspektin e përmbajtjes dhe tematikës, studimi fillon me një analizë të kontekstit politik dhe mjedisor në Kosovë, duke e theksuar nevojën për një përputhje të ngushtë me standardet e BE-së. Autorët diskutuan rëndësinë e implementimit të direktivave të BE-së si një hap të domosdoshëm për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe për forcimin e stabilitetit politik në rajon.

Punimi identifikon sfidat kryesore me të cilat përballen institucionet kosovare në zbatimin e këtyre politikave. Këto përfshijnë mungesën e stabilitetit politik, pengesat në infrastrukturë dhe burime të kufizuara financiare. Autorët analizojnë si këto faktorë mund të pengojnë përparimin në implementimin e politikave të gjelbra dhe si mund të ndikojnë në perceptimin publik rreth këtyre iniciativave. Një pjesë e rëndësishme e studimit përqendrohet në ndikimin e sigurisë mbi zhvillimin mjedisor. Politikat e energjisë dhe menaxhimi i burimeve natyrore shpesh preken nga tensionet politike dhe konflikte të mundshme. Autori shqyrton se si një ambient i sigurt mund të inkurajojë investimet në energjinë e rinovueshme dhe praktikat e qëndrueshme, duke e shndërruar Kosovën në një model për zhvillimin e qëndrueshëm.

Cila është rëndësia e hulumtimit, ndalemi në aspektin e perspektivës të re mbi ndërvarësinë mes politikës, sigurisë dhe zhvillimit mjedisor. Hulumtimi kontribuon në literaturën ekzistuese duke theksuar se politika mjedisore nuk mund të ndahen nga çështjet politike dhe të sigurisë, duke ofruar një qasje të integruar për analizën e politikave të gjelbra.

Punimi paraqet rekomandime konkrete për politikat publike që mund të ndihmojnë në përmirësimin e implementimit të politikave të gjelbra. Këto përfshijnë krijimin e një kornize ligjore më të fortë, inkurajimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe organizatave ndërkombëtare, dhe zhvillimin e programeve edukative për rritjen e vetëdijes publike mbi rëndësinë e politikave të qëndrueshme.

Punimi gjithashtu nënvizon potencialin e politikave të gjelbra për të stimuluar zhvillimin ekonomik në Kosovë. Implementimi i praktikave të qëndrueshme në sektorët si energjia e rinovueshme, menaxhimi i mbetjeve dhe bujqësia e qëndrueshme mund të krijojë vende të reja pune dhe të ndihmojë në diversifikimin e ekonomisë.

Në përfundim, ky studim është një kontribuim i rëndësishëm në kuptimin e dinamikave komplekse që lidhen me zbatimin e politikave mjedisore në Kosovë. Ai ofron një analizë të hollësishme dhe të integruar, duke ndihmuar në formimin e politikave të ardhshme dhe në strategjitë për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend. Me këtë punim, autorët jo vetëm që adresojnë sfidat aktuale, por gjithashtu ofrojnë një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës si një vend të angazhuar për zhvillimin mjedisor dhe politik të qëndrueshëm./UBTNews/D.E.

Studimin shkencor mund ta lexoni në: https://doi.org/10.25143/socr.29.2024.2.61-74

 

Exit mobile version