Romanca mes Ana de Armas dhe Tom Cruise duket se ka përfunduar po aq shpejt sa nisi. Sipas revistës Us Weekly, aktorja kubano-spanjolle ka qenë ajo që ka marrë nismën për ndarje, pasi është ndier e parehatshme me ritmin e marrëdhënies.
“Ishte vendimi i Anës,” ka thënë një burim i afërt për median amerikane.
“Ajo filloi të ndihej në siklet me shpejtësinë me të cilën po ecnin gjërat.” Edhe pse kimia mes tyre ishte e pamohueshme, de Armas vendosi të bënte një hap prapa dhe të vendoste kufij më të qartë.
Dyshja ndezi thashethemet për një lidhje në shkurt, gjatë xhirimeve të “Deeper”, ku luajnë krah njëri-tjetrit. Marrëdhënia sipas burimeve, lindi gjatë seancave intensive të stërvitjeve nënujore për filmin, ku ata kaluan kohë së bashku.
“Filloi si një respekt i thellë profesional dhe më pas u shndërrua në diçka më shumë,” ka treguar burimi.
“Tom u magjeps plotësisht nga Ana,” thuhet më tej. Nga ana e saj, de Armas e ka përshkruar Cruise si një person “të këndshëm dhe mbështetës”, duke vlerësuar përkushtimin e tij ndaj karrierës dhe disiplinën e tij profesionale.
Megjithëse romanca e tyre ishte e shkurtër, de Armas, 37 vjeçe, ruan vlerësim të madh për Cruise, 63 vjeç.
“Ajo ende e pëlqen shumë Tom-in,” ka theksuar burimi, duke shtuar se të dy kanë rënë dakord të mbeten miq dhe të fokusohen në bashkëpunimin e tyre në film.
Sipas Daily Mail, vendimi për t’u ndarë u mor me mirëkuptim të ndërsjellë, pasi të dy kuptuan se ruajtja e profesionalizmit ishte thelbësore si për miqësinë e tyre, ashtu edhe për suksesin e projektit kinematografik që po realizojnë së bashku. /A.Z/UBT News/
