Kreu i Qeverisë Ushtarake të Mianmarit, Gjenerali Min Aung Hlaing, ka shpallur një amnisti të gjerë me rastin e Vitit të Ri Tradicional, duke liruar rreth 4,900 të burgosur, përfshirë së paku 22 të burgosur politikë
Operacioni i lirimit ka përfshirë 19 autobusë që transportuan të burgosurit nga burgu famëkeq Insein në Jangon, ku familjarët e tyre prisnin me padurim jashtë mureve të burgut. Sipas Rrjetit të Mianmarit për të Burgosur Politikë – një organizatë e pavarur që monitoron situatën e të drejtave të njeriut – të paktën 22 të burgosur politikë janë liruar në kuadër të kësaj amnistie.
Gjenerali Min Aung Hlaing, i cili udhëheq Këshillin Ushtarak që mori pushtetin në vitin 2021, ka bërë të ditur se amnistia përfshin gjithsej 4,893 të burgosur, ndër ta edhe 13 shtetas të huaj, të cilët janë liruar dhe dëbuar nga vendi.
Megjithatë, personat e dënuar për vepra të rënda penale – si vrasje, përdhunim apo shkelje të sigurisë kombëtare – nuk janë përfshirë në këtë amnisti. Ndërkohë, për të tjerët që nuk janë liruar, është bërë ulje e dënimeve të tyre.
Autoritetet kanë paralajmëruar se të burgosurit e liruar janë të obliguar të respektojnë ligjin, përndryshe do të përballen me vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, përveç ndonjë dënimi të ri në rast të shkeljeve të ardhshme.