Amnesty International ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi fushatën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si krime lufte. Sipas raportit të organizatës, ushtria izraelite ka shkatërruar në mënyrë të paligjshme tokat bujqësore dhe ndërtesat civile, dhe ka niveluar lagje të tëra për të zgjeruar një “zonë tampon”.
Amnesty International, një organizatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut me qendër në Londër, ka analizuar imazhe satelitore dhe video të postuara nga ushtarët izraelitë në mediat sociale gjatë periudhës tetor 2023 – maj 2024.
Erika Guevara-Rosas, drejtoresha e lartë e Amnesty, deklaroi: “Hulumtimi ynë ka zbuluar një model të shkatërrimit sistematik të një zone të tërë. Fushata e rrënimit të ushtrisë izraelite në Gazë është një shkatërrim i pakujdesshëm.”
Guevara-Rosas shtoi se: “Forcat izraelite kanë shkatërruar ndërtesat e banimit, kanë detyruar mijëra familje të largohen nga shtëpitë e tyre dhe e kanë bërë tokën të pabanueshme. Krijimi i një ‘zone tampon’ nuk duhet të shërbejë si ndëshkim kolektiv për civilët palestinezë”.
Në përgjigje, ushtria izraelite ka justifikuar shkatërrimin e ndërtesave duke thënë se po synonte të shkatërronte tunelet dhe infrastrukturën që përdorej nga Hamas, një grup militant palestinez.
Amnesty International kërkon që masat e sigurisë të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të ndalojnë shkatërrimin e qëllimshëm të pronës dhe ndëshkimin kolektiv të popullsisë civile./UBTNews/