Zyrtarët iranianë të sigurisë torturuan të mitur të cilët u arrestuan gjatë demonstratave kundër regjimit të vendit, thuhet në një raport të Amnesty International që u publikua të enjten.
Disa të mitur që u përballën me forma të dhunës, sikurse rrahje, goditje elektrike dhe përdhunim – ishin deri në moshën 12-vjeçare, raportoi Amnesty.
“Është e neveritshme që zyrtarët kanë ushtruar pushtet të tillë në mënyrë kriminale mbi fëmijët e cenueshëm dhe të frikësuar, duke shkaktuar dhimbje dhe ankth të madh mbi ta dhe familjet e tyre dhe duke i lënë ata me plagë të rënda fizike dhe mendore”, tha Diana Eltahawy, një zyrtare e Amnesty.
Forcat e sigurisë përdorën edhe tortura psikologjike, sikurse kërcënime me vdekje, për të frikësuar dhe detyruar të miturit të bëjnë rrëfime të detyruara.
Sipas Amnesty International, një i mbijetuar i tha të afërmit të tij: “Ata [agjentët e shtetit] na dhanë goditje elektrike, më goditën në fytyrë me pjesën e pasme të armës”.
“Ata kërcënuan se nëse i tregojmë dikujt, ata do të na arrestojnë përsëri, do të bëjnë edhe më keq dhe do t’ua dorëzojnë kufomat tona familjeve tona”, shtoi i mbijetuari.
Në raport thuhet se kushtet në të cilat u mbajtën fëmijët dhe të rinjtë ishin johumane./UBTNews/