Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave.
“Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, rreziku për shpërthimin e zjarreve në deponitë e mbeturinave është shumë i lartë”, ka thënë AMMK.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit ka theksuar se zjarret në deponi përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, derisa theksoi rastin e fundit të zjarrit në deponinë e Elbasanit në Shqipëri.
Sipas AMMK-së, komunat dhe autoritetet lokale, operatorët e menaxhimit të mbeturinave dhe menaxherët e deponive komunale duhet të veprojnë.
Ndër masat që kërkohen janë inspektime dhe monitorim të shtuar për të identifikuar vatrat e mundshme të zjarrit; Vendosja e rojeve dhe patrullimeve, sidomos gjatë orëve me rrezik të lartë (mesditë, pasdite); Krijimi i brezave të pastruar përreth deponive, për të parandaluar përhapjen e flakëve; Sigurimi i mjeteve për ndërhyrje të shpejtë, përfshirë ujë dhe pajisje zjarrfikëse; Sensibilizimi i qytetarëve për të shmangur hedhjen e materialeve të ndezura apo të rrezikshme pranë deponive; Vendosja e rezervuarëve me ujë dhe mjete profesionale brenda perimetrit të deponive.
Ndërkaq, sa i përket pasojave nga djegia e mbeturinave urbane, dëmet për mjedisin sipas AMMK-së janë: Ndotje e ajrit nga gazrat toksikë; Ndotje e ujit dhe tokës nga metalet e rënda që rrjedhin nga hiri i djegur; Ndikim negativ në biodiversitet.
AMMK ka përmendur edhe rreziqet për shëndetin sic janë sëmundje të frymëmarrjes, probleme kardiovaskulare, rrezik për kancer nga ekspozimi ndaj dioksinave dhe substancave kancerogjene, dëme në sistemin nervor, veçanërisht tek fëmijët, çrregullime hormonale dhe probleme në sistemin riprodhues.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë cdo rast zjarri ose tym të dyshimtë.