UBT News

Amerikani i burgosur në Iran fillon grevën e urisë, i kërkon Bidenit ta kthejë në shtëpi

Një shtetas amerikan i burgosur në Iran për më shumë se shtatë vjet nën akuza për spiunazh ka hyrë në grevë urie shtatëditore dhe i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, që ta kthejë atë në shtëpi.

Siamak Namazi, i cili është me origjinë iraniane, tha të hënën se po fillon një grevë urie shtatëditore.

Kërkesën ai e bëri përmes një letre të hapur.

“Vetëm presidenti i Shteteve të Bashkuara ka fuqinë të na sjellë në shtëpi, nëse ai vendos ta bëjë këtë”, shkroi ai mes tjerash.

Kush është Siamak Namazi?

51-vjeçari u arrestua në tetor të vitit 2015 nën akuzat për përpjekje për të përmbysur shtetin klerik, akuza që ai i mohon.

E hëna shënon gjithashtu përvjetorin e lirimit në vitin 2016 të pesë shtetasve të tjerë amerikanë në një shkëmbim të burgosurish, i krijuar për të përkuar me zbatimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015.

“Kur administrata e Obamës në mënyrë të pandërgjegjshme më la në rrezik dhe liroi qytetarët e tjerë amerikanë të mbajtur peng nga Irani më 16 janar të vitit 2016, qeveria amerikane i premtoi familjes sime që të më kishte në shtëpi të sigurt brenda disa javësh”, tha Namazi në letër.

“Megjithatë, shtatë vjet dhe u ndërruan dy presidentë, unë ende jam i mbyllur në burgun famëkeq Evin të Teheranit”, shtoi ai.

Si ka reaguar administrata Biden?

Pas apelit të Namazit, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se administrata Biden është e përkushtuar për të siguruar lirimin e tij.

“Ne po punojmë pa u lodhur për ta sjellë atë në shtëpi së bashku me të gjithë qytetarët amerikanë që janë ndaluar gabimisht në Iran”, raportoi Reuters.

“Ndalimi i gabuar i qytetarëve amerikanë nga Irani për t’u përdorur si levë politike është skandaloz”, shtoi zëdhënësi.

Të shtunën qeveria e Iranit, e cila refuzon të njohë shtetësinë e dyfishtë, njoftoi ekzekutimin e një shtetasi britanik, Alireza Akbari, i cili gjithashtu u akuzua për spiunazh./UBTNews/

Exit mobile version