Rrjeti i njohur i kinemave AMC Theatres ka njoftuar partneritetin e ri me Arena One, përmes të cilit koncertet live do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranet e kinemave në gjithë Shtetet e Bashkuara.
Programi “Arena One at AMC” nis në muajin qershor dhe do të sjellë performanca nga artistë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Bebe Rexha, Paris Hilton, Kim Petras dhe Maren Morris.
Koncertet do të transmetohen në mbi 300 lokacione të AMC-së, ndërsa organizatorët paralajmëruan edhe emra të tjerë në javët në vijim.
Sipas AMC-së, projekti synon të krijojë atmosferën e një koncerti të vërtetë arena përmes teknologjisë interaktive që transmeton reagimet e publikut në kohë reale mes sallave të kinemasë dhe artistëve në skenë.
Kjo nismë vjen në kohën kur kinematë po fokusohen gjithnjë e më shumë në përmbajtje alternative për të përballuar rënien e të ardhurave pas pandemisë dhe mungesën e filmave të rinj nga studiot e mëdha.
AMC kishte bashkëpunuar më herët me Taylor Swift dhe Beyoncé për filmat koncertalë të turneve të tyre, por kësaj radhe koncertet do të transmetohen drejtpërdrejt.
Biletat për “Arena One at AMC” do të kushtojnë nga 40 deri në 75 dollarë, më lirë se koncertet tradicionale, ku çmimet shpesh kalojnë 140 dollarë.
