“Një kërcënim shumë serioz” i konsideroi ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shukrov, bombardimet e fundit ruse mbi Ukrainë. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSh, Shukrov tha se si pasojë e sulmeve është shkatërruar infrastruktura kritike, teksa akuzoi qeverinë ruse se po përdor terrorin dhe po krijon panik duke vrarë njerëz të thjeshtë.
“Është një kërcënim shumë serioz, ju kujtoj se Presidenti i Ukrainës tha se me siguri ushtria ruse është duke humbur në fushën e betejës dhe ndaj qeveria e Rusisë po përdor terrorin dhe situata është shumë e vështirë. Situata në Ukrainë mbetet e vështirë, deri më 10 tetor popullsia pjesërisht ishte rikthyer në jetën normale por pas goditjes me raketa, janë dëmtuar shumë objekte, përfshirë objekte e infrastrukturës kritike dhe vendbanimet. Situata u përkeqësua menjëherë. Shkollat dhe universitetet sot kanë filluar online. Puna vazhdon, kafenetë dhe restorantet janë hapur, por njerëzit shumë shpesh duhet të shkojnë në vendet e strehimit. Sulmi ndodhi në kohën kur njerëzit po shkonin në punë, po parkonin makinat e tyre. Ky është realiteti, një realitet ku ne kuptojmë që pala ruse po krijon panik duke vrarë njerëz të thjeshtë dhe duke shkatërruar strukturën kritike”, tha ambasadori i Ukrainës.
Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, ku tha se është shumë e nevojshme që vendi të forcojë mbrojtjen ajrore.
“Unë mendoj qe mbështetja nga ShBA do të vazhdojë pasi pas sulmeve raketore Presidenti Zelensky ka patur një bisedë me Presidentin Biden ku u diskutua mbi bombardimet dhe rëndësinë e mbrojtjes ajrore. Ishte dhe një takim, urgjent i G7 ku u diskutua për një mbështetje të radhës me armatime për Ukrainën. Sot do bëhet një mbledhje e OKB. Mbështetja e SHBA vazhdon dhe është e përqendruar në furnizimin me armatime. Bëj kërkesë për mbështetje ushtarake ndaj Ukrainës. Është shumë e nevojshme të kemi armatime që të ndalojnë dronët dhe raketat kemi nevojë të përmirësojmë mbrojtjen tonë ajrore”, theksoi Shukrov.
I pyetur mbi jetën e qytetarëve në Ukrainë, ambasadori u shpreh se ata janë tashmë shumë më të bashkuar dhe se vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme, por i duhet të vrapojnë për të shkuar nëpër vendstrehime në momentin që dëgjohen sirenat e alarmit, për shkak se rreziku është real.
“Ukrainasit sot janë shumë të bashkuar dhe e mirëkuptojnë faktin e rrezikut që ekziston sot, por puna vazhdon në të njëjtën kohë, vetëm se gjatë sirenave të sulmeve ajrore, ata detyrohen të shkojnë të vendstrehime sepse rreziku është shumë i lartë. Por vendi vijon të punojë”, tha Shukrov.
Breshëria e sulmeve me raketa të së hënës ishte bombardimi më i rëndë që ka parë Ukraina që nga ditët e para të luftës. Disa sulme goditën Kievin, hera e parë që kryeqyteti është shënjestruar pas disa muajsh. Zonat civile duke përfshirë një park popullor dhe shesh lojërash për fëmijë u goditën gjatë orës së pikut të mëngjesit. Infrastruktura u shkatërrua, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shumë lagje.