Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Dr. Florian Qehaja, zhvilloi një ligjëratë tematike për studentët e programit Studime të Sigurisë në UBT, në kuadër të lëndës “Negociatat Diplomatike për Paqe dhe Siguri”.
Në këtë ngjarje, e cila u zhvillua në prani të Dekanes së Fakultetit të Shkencave Politike, Prof. Dr. Hajdi Xhixha, Ambasadori Qehaja theksoi rëndësinë e diplomacisë aktive për promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon, duke ndarë me studentët përvojat dhe pikëpamjet e tij të çmuara nga dy dekada angazhimi në fushën e diplomacisë.
I shoqëruar nga Prof. Dr. Bahri Gashi, Ambasadori Qehaja diskutoi për rolin e diplomacisë në garantimin e sigurisë, duke theksuar se një diplomaci e fuqishme dhe e koordinuar është e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin në Ballkan. Ligjërata zgjoi një interes të madh tek studentët, të cilët e ndoqën me kuriozitet dhe angazhim, duke parashtruar pyetje të shumta mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë moderne në konteksin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në përfundim të diskutimit, u dakordua që studentët e programit të Studimeve të Sigurisë të realizojnë një vizitë studimore në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, një mundësi për të mësuar më shumë rreth veprimtarisë diplomatike dhe konsullore. Kjo vizitë pritet të realizohet në një datë të përshtatshme dhe do të shërbejë si një mundësi për studentët që të thellojnë njohuritë e tyre praktike mbi diplomacinë dhe sigurinë ndërkombëtare./UBTNews/