Ambasadori i Austrisë në Kosovë, George Schnetzer ishte i ftuari i radhës në ligjëratat e Institutit të Ballkanologjisë në kuadër të Fakultetit të Shkencave Politike në UBT.
Në prezantimin e tij, ai shpalosi me detaje marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të tyre në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia, arsimi, dhe kultura.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Schnetzer u përqendrua në historinë e miqësisë së thellë midis dy vendeve dhe përparimin e arritur në bashkëpunimin bilateral. Ai gjithashtu përshëndeti sukseset e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në këtë drejtim.
Në këtë kontekst, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, falënderoi Ambasadorin Schnetzer për kontributin e tij në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi se Austrisë i takon një vend i rëndësishëm në historinë e Kosovës dhe se mbështetja e saj në shumë fusha, përfshirë arsimin, ka qenë e jashtëzakonshme.
“Ne shprehim falënderimin tonë për popullin e Austrisë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhduar ndaj popullit të Kosovës. Austria gjithmonë ka qenë në gatishmëri për të na ndihmuar edhe në procesin e zhvillimit të arsimit dhe edukimit”, është shprehur Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi gjithashtu u shpreh se UBT ka ndërtuar partneritete të rëndësishme ndërkombëtare me institucione arsimore edhe nga Austria, të cilat kanë kontribuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe akademike.
Instituti i Ballkanologjisë ka planifikuar ligjëratat e tjera për tema të ndryshme, duke ofruar emra të rëndësishëm nga fushat e shkencës, diplomacisë, politikës dhe publicistikës.