Në një ceremoni solemne dhe me nderime të larta shtetërore e ushtarake, në pallatin presidencial “Sandor Palace”, ambasadori Delfin Pllana dorëzoi letrat kredenciale të akreditimit si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Budapest te presidenti hungarez Tamas Sulyok.
Ambasadori Pllana me këtë rast i përcolli presidentit Suloyk përshëndetjet më të ngrohta të presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë së Kosovës për Qeverinë e Hungarisë dhe popullin mik hungarez për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite për Kosovën.
Në takimin e veçantë me presidentin Suloyk, ambasadori Pllana nënvizoi përkrahjen e Hungarisë në ditët më të errëta të Kosovës, gjatë periudhës së shtetndërtimit dhe në procese të integrimit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, duke shprehur zotimin se do të punojë për fuqizimin e bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat ndërmjet dy vendeve mike.
Presidenti Suloyk i uroi mirëseardhje ambasadorit Pllana dhe familjes së tij duke nënvizuar se pret që raportet Hungari-Kosovë të avancojnë dhe prosperojnë në të gjitha fushat e në veçanti në ekonomi.
Pas përfundimit të ceremonisë, delegacioni u shoqërua nga Protokolli i Shtetit për në Sheshin e Heronjve ku ambasadori Pllana në shenjë respekti e nderimi vendosi kurorën me lule te monumenti i “Ushtarit të Panjohur”.
Delfin Pllana është emëruar kohë më parë në postin e ambasadorit të Kosovës në Hungari. Në vitin 2021, Pllana ishte në krye të punës në Ambasadën e Kosovës në Bullgari.