UBT News

Ambasadori britanik: Kosovës i duhet urgjentisht një kuvend dhe qeveri funksionale

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar nevojën urgjente për krijimin e institucioneve funksionale pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

“Më shumë se dy muaj që prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova urgjentisht ka nevojë për një kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes kombëtar”, ka shkruar Hargreaves në platformën X.

Ndërkohë, sot ka vazhduar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte ndërprerë të hënën. Kryesuesi i saj, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike, mirëpo pas takimit ai deklaroi se nuk është arritur konsensus për vazhdimin e punimeve.

Si rezultat, Dehari njoftoi se seanca konstituive do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.

Exit mobile version