Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së ngërçit politik në vend.
Përmes një njoftimi në Facebook, Hargreaves ka bërë të ditur se ka mirëpritur në Rezidencën Britanike një grup organizatash të shoqërisë civile për të diskutuar gjendjen e demokracisë në vend, shkruan KosovaPress.
Ambasadori Hargreaves ka shprehur mirënjohje për përvojën dhe ekspertizën e OJQ-ve, duke vlerësuar rolin e tyre kyç në nxitjen e llogaridhënies politike.
“Unë e admiroj angazhimin e shoqërisë civile me politikanët e Kosovës për t’i inkurajuar ata që të marrin përgjegjësinë për të zgjidhur këtë ngërç në mënyrë që një Kuvend dhe Qeveri e re të mund të formohet dhe të vazhdojë me biznesin jetik në interes të popullit të Kosovës”, ka shkruar ambasadori britanik në Facebook.
Të martën, ka dështuar për herë të 33-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Të gjitha vazhdimet e deritanishme të seancës konstituive kanë dështuar, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.