UBT News

Ambasadorët takojnë Kurtin, Orav: Nënvizuam rëndësinë e formimit të shpejtë të Qeverisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë të ditur se së bashku me ambasadorët dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë janë takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet pas zgjedhjeve.

Orav ka thënë se gjatë takimit është vlerësuar procesi zgjedhor, duke e cilësuar atë si një dëshmi të angazhimit të fortë të Kosovës ndaj parimeve demokratike, derisa është nënvizuar edhe rëndësia e formimit të shpejtë të qeverisë së re.

“Përgëzuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike dhe nënvizuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav në platformën “X”.

Ai ka bërë të ditur se ambasadorët e BE-së kanë kërkuar gjithashtu ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, Orav ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për përparimin e të dyja palëve në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Exit mobile version