Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Në kuadër të komunikimit të rregullt me trupin diplomatik dhe zhvillimeve të fundit në vend, Kurti dhe Bislimi i informuan të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Sipas një komunikate të Qeverisë, ata theksuan gjithashtu veprimet afirmative që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre ligjeve.
Në komunikatë theksohet se faza e parë e zbatimit ka nisur sot dhe parasheh një periudhë informimi për dispozitat ligjore.
“Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese me udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse. Paralelisht, do të organizohen sesione informuese me qytetarë, fushata informimi përmes mediave dhe do të funksionalizohen linja telefonike informuese. Kjo fazë informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026, kur pritet të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, me synim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët edhe për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.
Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.
Në fund, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke vlerësuar se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.
