UBT News

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE në Kosovë: Do të flasim për përparimin e dialogut

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE në Vjenë po vizitojnë sot Republikën e Kosovës në kuadër të turneut rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës së ambasadorëve në Kosovë, ata do të zhvillojnë takime me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, si dhe do të vizitojnë selinë dhe qendrat rajonale të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Gjithashtu, ambasadorët do të vizitojnë edhe objektin trajnues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, të mbështetur nga OSBE-ja, si dhe do të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile.

Grupi i tyre përbëhet nga ambasadorja Christine Fages (Francë), ambasadorja Gesa Braeutigam (Gjermani), ambasadori Stephano Baldi (Itali), ambasadori Neil Bush (MB) dhe ambasadori Michael Carpenter (Shtetet e Bashkuara). Në kuadër të turneut të tyre rajonal, ata udhëtuan edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vijim do të vizitojnë Serbinë para se të kthehen në Vjenë.

Në një komunikatë për media bëhet se ditur se para vizitës së tyre ambasadorët kanë deklaruar se: “Ballkani Perëndimor është një rajon jashtëzakonisht i rëndësishëm për OSBE-në dhe për qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne jemi shumë të kënaqur që mund të vizitojmë Kosovën në grup gjatë kësaj vizite, si dhe Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Presim me padurim takimet tona me përfaqësues të qeverisë, parlamentit dhe shoqërisë civile, si dhe të shohim projekte në terren të mbështetura nga OSBE-ja. Ne do të ritheksojmë rëndësinë e përparimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të mbështetur nga pesë vendet tona, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe do të diskutojmë se si OSBE mund të mbështesë më së miri zhvillimin demokratik të Kosovës në të gjitha dimensionet dhe çështjet prioritare të OSBE-së dhe reformat e sundimit të ligjit”.

Exit mobile version