Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali i bën thirrje të gjithë shtetasve kosovarë me banim/qëndrim në Itali të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese anti Covid-19, të përcaktuara në Dekretin e fundit të Qeverisë italiane, i përditësuar me datë 14 janar 2021.
Ambasada njofton se dekreti parashikon zgjatjen e gjendjes emergjente me kufizimet e lëvizjes si në vijim:
Deri me 15 shkurt 2021, parashikohen kushtëzime për qarkullimin dhe lëvizjen brenda territorit italian: çdo lëvizje mes komunave (përjashtohen ato me më pak se 5000 banorë), prefekturave dhe rajoneve është e ndaluar; lejohen lëvizjet vetëm për arsye pune, shëndetësore, kthim në vendbanim dhe nevoja urgjente, ku parashikohet gjithsesi formulari i vetë deklaratës ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes.
Udhëtimet Itali/Kosovë dhe anasjelltas: lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara, dhe për hyrjen/kthimin në Itali, parashikohet vetizolimi i detyrueshëm 14 ditor, si dhe mbikëqyrja shëndetësore. Sipas këtij dekreti, këto masa mbesin në fuqi nga 16 janari deri me 05 mars 2021.
Kalimi tranzit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovarë që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë tranzit përmes rrugëve tokësore, duke plotësuar formularin e vetë deklarimit, ku shpjegohet qartë qëndrimi në 14 ditët e fundit, duke respektuar detyrimin që të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve.
Lejet e qëndrimit/permessi di soggiorno: të gjithë shtetasit kosovarë të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit italiane, DPCM Nr.2 i datës 14.01.2021, neni 5, parashikon zgjatjen e vlefshmërisë së tyre deri më datë 30 prill 2021./UBTNews